Site Loader

Mediat janë instrumente komunikimi. Si instrumentin bazë të komunikimit (dhe sistemit primar të shenjave) mund të përmendim “gjuhën”. Me anë të simbolikës së saj njerëzit komunikojnë me njëri-tjetrin. Por komunikimi ndodh edhe pa gjuhën verbale apo të shkruar, me anë të shenjave, gjesteve, veshjes, mimikës, etj. Për të argumentuar cilësinë e një komunikimi duhet të kemi fi llimisht një shkëmbim mes dërguesit dhe marrësit, pra atij që komunikon dhe atij që e merr këtë komunikim, ose ajo që quhet ndryshe meta-komunikimi social. Po çfarë është komunikimi? Ekzistojnë mbi 150 përkufizime mbi komunikimin. Mbase mund ta përkufi zonim kështu: “Komunikimi nuk ndodh pa një partner dhe ai është shkëmbim i shenjave gjuhësore dhe jo gjuhësore apo vizuale mes dy apo më shumë njerëzve, në varësi të një situate të caktuar.”
Ndërkohë që Niklas Luhmann na paraqet një përkufi zim krejt të ndryshëm me këtë sa thamë më lart. Ai thotë se “komunikimi është i pamundur. Ai është i pamundur megjithëse ne e praktikojmë atë përditë dhe pa të nuk mund të jetonim.” Përse del Luhmann në këtë rezultat? Sepse sipas tij, është krejt e pamundur që një person të kuptojë plotësisht se çfarë mendon një person tjetër në mendjen e tij. “Edhe sikur komunikimi mes dy a më shumë njerëzve të kryhet”, vazhdon ai, “jemi të pasigurt nëse ai do të arrijë të përçohet dhe perceptohet drejt nga personi përballë nesh.” Kurse studiuesi Paul Watzlawick del me tezën se “nuk mund të mos komunikojmë”. Për këtë Watzlawick argumenton se komunikimi nuk ka të bëjë vetëm me përmbajtjen, por edhe me cilësinë e tij: shpejtësia e të folurit, toni etj., si elemente para-verbiale, por dhe mimika e gjestet si elemente jo-verbiale. Kur flasim pastaj për komunikimin mediatik, njëri nga komunikuesit përfaqësohet me median përkatëse dhe komunikimi i njeriut me një medium është më së shumti i njëanshëm dhe indirekt. Përjashtim këtu bën telefoni që vërtet ruan distancën mes personave që komunikojnë, por komunikimi ndodh në kohë reale dhe të dy personat janë të përfshirë në të.
Komunikimi mes njerëzve mund të ndodhë me anë të gjuhës (gojës), komunikimi verbal; ose përmes shenjave të mimikës apo gjesteve: komunikimi joverbal. Komunikimi që përçohet direkt, nga njëri person te tjetri, quhet komunikim ndërpersonal ose individual. Gjatë një bisede direkte mes personave, dërguesi dhe marrësi i mesazhit shkëmbejnë rolet e tyre që do të thotë se procesi komunikativ është i ndërrueshëm dhe kryhet sipas rregullave të një dialogu. Komunikimi individual përkufi zohet zakonisht si komunikim direkt, personal; ndërsa komunikimi masiv si një komunikim indirekt që transmetohet teknikisht, pra anasjelltas. Nëse dikur kufi jtë mes komunikimit individual atij masiv kanë qenë më të qartë, sot janë kthyer në të padukshëm prej zhvillimeve teknologjike (Newsgroup-et në internet, video-on-demand, etj). a) Komunikimi një-dimensional Me përjashtim të telefonit ku ndodh komunikimi i dyfi shtë, mediat masive transmetojnë informacione vetëm në një drejtim, nga TV, radio, gazeta, etj., te shikuesi, dëgjuesi apo lexuesi. Këta të fundit nuk mund të përgjigjen apo të reagojnë, por edhe ata që e nisin mesazhin nuk e dinë nëse ai ka mbërritur apo jo në vendin e duhur, dhe mbi të gjitha në është kuptuar drejt. Kjo mund të shkaktojë “rrjedhje” të informacionit dhe sipas rastit edhe keqkuptime. b) Komunikimi dy-dimensional Përveç telefonit, ka edhe disa media që mundësojnë një komunikim dydimensional. Me anë të internetit për shembull, komunikimi merr një funksion të dyanshëm: përdorues-redaksi, përmes dialogut nëpër blogje, etj. Të dyja palët mund të shtrojnë pyetje dhe të reagojnë pas përgjigjeve të secilit. Mënyra se si ndodh procesi komunikativ tregon në thelb edhe se si është e strukturuar një shoqëri brenda saj. Në këtë aspekt një alfabetizim mediatik i shoqërisë do të shërbente për të perceptuar drejt përmbajtjet mediatike që përçohen nga mediume të ndryshme. Për më tepër që bota e komunikimit është e mbushur me keqkuptime dhe falsitete. Nëse do t’i mblidhnim së bashku gjithë sa thamë në këtë kapitull, mund të themi se përmes procesit të komunikimit ndodh në mënyrë të pashmangshme një sendërtim (konstruktim) i realitetit, dhe në këtë kontekst media, duke qenë se mbështetet kryesisht mbi komunikimin indirekt një-dimensional, luan një rol parësor.

II. ZHVILLIM
Në shoqëritë demokratike, mediat marrin një rol drejtues, kontrollues dhe orientues. Ato jo vetëm pasqyrojnë një realitet objektiv, por siç thotë Niklas Luhmann, “mediat e krijojnë realitetin”. Shumë nga mendimet dhe refl ektimet tona për botën formatohen përmes medias, ndaj njohja e rolit dhe tipareve të saj në shoqëritë demokratike kthehet në një domosdoshmëri. Më poshtë do të shohim nga afër se cilat janë funksionet dhe detyrimet e masmediave për individin dhe sistemin shoqëror. Me “funksion” do të kuptojmë ato detyra që mediat përmbushin në shoqëritë moderne. Media synon natyrisht t’i zbavisë njerëzit, por ky nuk mund të jetë funksioni i vetëm i saj. Media duhet të informojë në mënyrë që publiku të mund të dallojë marrëdhëniet e rëndësishme në politikë, në shoqëri apo ekonomi (funksioni informativ). Media duhet t’i informojë dhe orientojë njerëzit që këta vetë të mund të krijojnë opinionin e tyre mbi ngjarjet dhe çështjet (funksioni orientues). Por media duhet edhe të ndihmojë për të zbuluar problematika dhe defekte që i interesojnë opinionit publik (funksioni kritikues dhe kontrollues). Funksione të tjera të medias janë ai social, shoqëror, edukativ apo zbavitës.
Sipas Luhmann, ne e shohim botën me sytë e masmedias dhe nga informacionet që kjo transmeton. Një informacion është “një mesazh që ndryshon nivelin e dijes të dikujt: pra, që zgjeron, zvogëlon ose shndërron dijen subjektive të dikujt.” Informacionet mund të përftohen në dy mënyra: nga përvoja personale në lidhje me ngjarje të caktuara ose përmes medias. Informacionet duhet të transmetojnë diçka të re, ato nuk përsëriten: kjo i detyron masmediat të ofrojnë vazhdimisht informacione të reja, sepse edhe shoqëria ka nevojë të vazhdueshme për informacione. Masmediat janë kthyer pra, në një burim të rëndësishëm njohurish mbi botën: Gjithçka që ne dimë, e dimë nga masmediat! Ngjarjet politike as që mund të perceptohen dhe kuptohen pa ndërmjetësimin e masmediave. Burimi më i rëndësishëm informativ gjer në vitet 1960 ishin gazetat (në Shqipëri kjo vazhdoi deri në vitin 1995), kurse nga ajo kohë gjer tani televizioni mbetet mediumi më popullor. Nëse pranojmë që masmedia gjeneron pjesën më të madhe të përvojave tona, atëherë pretendimet në një shoqëri demokratike, për të pasur një nivel sa më cilësor informimi, mund të shihen si krejt të natyrshme. Kësisoj lajmet duhet të jenë të plota, objektive dhe të kuptueshme, në mënyrë që përdoruesit e medias të jenë në gjendje të ndjekin dhe kuptojnë ngjarjet aktuale në vend. Sa 10 më të informuar të jenë qytetarët për aspektet ekonomike, politike dhe sociale të vendit, aq më mirë do ta njohin ata situatën, në të cilën jetojnë dhe do të marrin pjesë në proceset politike. Këtë ata mund ta bëjnë në rolin e tyre si votues, si anëtar organizatash politike, apo pjesëtar në lëvizje të ndryshme qytetare. Media transmeton njohuri të mjaftueshme për qytetarët që këta të mund të marrin pjesë në procesin politik: pra, ajo ndikon në edukimin politik të qytetarëve.
Masmediat luajnë një rol të madh orientues për qytetarët në vendet demokratike. Ky rol mbështetet në bindjen që në demokraci secili duhet të ketë akses të mjaftueshëm në marrjen e informacionit dhe në debatin e hapur publik mbi çështje të caktuara. Liria e shprehjes dhe e informimit në Shqipëri është një e drejtë kushtetuese që garantohet me ligj. Pra, media, duke i dhënë mundësi shprehjeje kritikëve dhe ekspertëve politikë, ndihmon në formimin e gjykimit personal të qytetarëve mbi punën e qeverisë dhe institucioneve të tjera demokratike. Funksioni orientues i medias i shërben detyrimisht edhe edukimit të një votuesi racional. Por këtu nuk duhet harruar se realiteti që transmeton media jo gjithmonë pasqyron atë çka ndodh vërtet, porse një panoramë të ndërmjetësuar dhe të konstruktuar nga vetë media.
Media vetë kritikon dhe kontrollon mbarëvajtjen e përditshme të procesit politik përmes hulumtimit gazetaresk apo komenteve mbi tema aktuale. Pa këtë kontroll të vazhdueshëm të gazetave dhe radio-televizionit mund të ndodhte që procesi politik demokratik të vihej në rrezik, të vuante nga korrupsioni apo nga burokracia e vetvetes. Ka kritikë që mendojnë se kontrolli i medias duhet të shtrihet përtej shtetit, duke përfshirë gjithë shoqërinë. Sidoqoftë pushteti aktual i medias është mjaft i madh, duke përfshirë edhe funksionin e tematizimit, pra, vënien në dukje të temave me rëndësi publike. Axhenda e Medias (Agenda Setting) bën që njerëzit që lexojnë, dëgjojnë apo shohin media të ndryshme, të vlerësojnë si të rëndësishme pikërisht ato tema, të cilave media u jep prioritet. Pra, media jo vetëm përcakton temat që futen në rendin e ditës, por edhe hierarkinë e tyre sipas rëndësisë.
Mediat ne Shqiperi :
71 televizione lokale,
• 83 TV kabllore,
• 2 televizione kombëtare
• 2 stacione satelitore, përveç TVSH.
• rreth 200 gazeta dhe revista,
• 56 radio lokale,
• 2 radio kombëtare private,
(Të dhënat sipas ISHM dhe KKRT, 2011)
Në përgjithësi është e vështirë të vlerësosh zhvillimet e procesit të dixhitalizimit dhe të tregut të medias në tërësi, për shkak të mungesës së vazhdueshme të studimeve kërkimore publike, të besueshme dhe sistematike. Rritja shpërthyese e mundësive për të përdorur internetin është padyshim realitet. Sipas ITU-së përqindja e popullsisë që kanë mundësi të përdorin internetin u rrit nga 0.1 % në vitin 2000 në 43 % në vitin 2010. Numri u dyfishua nga 2008-a në 2010-ën.
Shumica e organeve mediatike kanë faqet e tyre web, të cilat përpiqen t’i mbajnë të përditësuara. Gjithsesi kjo gjë nuk i shmang nga uniformiteti i përmbajtjes së informacionit, që rezulton në një zgjedhje të kufizuar të lajmeve politike, një prirje drejt “tabloidizimit’ dhe profesionalizmit të dyshimtë.
Një numër në rritje prodhuesish lajmesh qarkullojnë informacion mbi një llojshmëri temash nga politika te stili i jetës. Edhe media tradicionale është ndikuar nga dixhitalizimi: ato ofrojnë informacion në formate të shumëfishta, edhe në analog edhe në dixhital, por pa përmirësime të dallueshme në cilësi, shtrirje dhe ndikim. Rrjetet sociale mbeten në mënyrë të qëndrueshme mes faqeve më të vizituara gjatë ditës. Ndërveprimi që siguron media e re ofron platforma të gjera për diskutim publik dhe ato janë veçanërisht popullore mes të rinjsh, duke filluar nga komentet e deri te blogjet.

Media e shkruar po humbet terren sidomos mes të rinjve. Kjo rënie, veç konkurrencës së televizionit dhe medias së re, ka të bëjë edhe me dështimin e medias së shkruar për të ofruar përmbajtje tërësisht ndryshe ose më të thellë se sa ajo që ofron media elektronike apo media e re. Platformat multiplekse ekzistuese përfshijnë disa stacione radioje por rëndësia e kësaj të fundit si burim informacioni është gjithnjë e në rënie. Edhe pse numri i stacioneve radiofonike private është i madh ajo që ato ofrojnë në përgjithësi përqendrohet te muzika dhe argëtimi.

Deri tani dixhitalizimi ka patur një efekt të kufizuar mbi gazetarinë. Gazetaria e lajmeve është bërë më e shpejtë dhe më e thjeshtë. Gazetaria qytetare, megjithatë, nuk është zhvilluar ende. Për sa u përket kushteve të punës shumica e gazetarëve në Shqipëri punojnë ende pa kontratë, duke nxitur kështu një klimë autocensure që sjell pasoja të dëmshme te produkti i lajmeve. Situata lë më shumë për të dëshiruar në zonat jashtë kryeqytetit ku pagat e gazetarëve janë nën mesataren.
Nga ky këndvështrim shohim se dixhitalizimi nuk ka ndikuar mbi gazetarinë investigative; mundësitë e krijuara nga burimet e informacionit online nuk kompensojnë pengesën e frikës që shkaktohet nga mungesa e mbrojtjes ligjore dhe zakonore.
Është e vështirë të vlerësohet ndikimi që ka dixhitalizimi mbi profesionalizmin e gazetarëve në mungesë të një monitorimi të organizuar të standardeve etike. Gjykimi në këtë rast vështirësohet nga fakti se të njëjtët gazetarë në disa raste punojnë njëkohësisht edhe në median tradicionale edhe në median online. Për këtë arsye mbulimi i temave mbetet i njëjtë.

Respektimi i të drejtave të autorit është bërë më problematik pasi si media online edhe ajo tradicionale marrin materialet e njëra tjetrës pa i atribuuar ato. Në të njëjtin këndvështrim negativ, dixhitalizimi ka lehtësuar shpërndarjen e shpifjeve dhe fyerjeve, pasi shumica e faqeve web nuk kanë moderatorë apo mënyra filtrimi.
Shumica e medias tradicionale kanë faqet e tyre web, ndërkohë që media e re është e ngjashme në përmbajtje me median tradicionale. Është interesante të vëmë re se disa nga mediat në renditjen e 40 faqeve web më të ndjekura përfshijnë edhe media në shqip jashtë vendit si Telegrafi, Koha Ditore, dhe Bota Sot. Sipas klasifikimit të trafikut në web, mediat më popullore janë: Top Channel, BalkanWeb, Ikub.al, Telegrafi, NOA, Shekulli, Lajmi Fundit, dhe Gazeta Tema.
Nga këto faqe web, Top Channel, Shekulli, dhe Gazeta Tema përfaqësojnë stacione televizive dhe gazeta ekzistuese. BalkanWeb është një nga të parat media lajmesh online ose agjenci lajmesh që ka përfituar prej të qenurit pjesë e një grupi mediatik që ka edhe një kanal lajmesh, një gazetë të përditshme dhe një radio. Një ndërmarrje e tillë nuk dhunon dispozitat ligjore që ndalojnë pronësinë e llojeve të ndryshme të medias, pasi dispozitat mbi pronësinë i përkasin vetëm medias elektronike ndërsa media e shkruar nuk është aspak e rregulluar në këtë drejtim. Në fakt modele të ngjashme pronësie nuk janë të panjohura në Shqipëri gjatë dekadës së fundit. NOA dhe Lajmi i Fundit janë të ngjashme, duke shërbyer si agjenci lajmesh ato kanë lajme të përditësuara vazhdimisht në çdo seksion dhe nuk duket të kenë ndonjë target apo specializim të qartë. E fundit, Ikub.al, është një miks lajmesh dhe stili “Fletë të Verdha”, informacion që lidhet me kërkime për punë dhe prona, dhe përfshin edhe një bazë të dhënash ligjore si dhe një numërator telefonash.
Në Shqipëri faqet më popullore të Internetit janë Facebook, Google, YouTube, Yahoo!, Windows Live, Ikub.al, BalkanWeb, Top Channel, Wikipedia, dhe MSN. Nga këto Facebook-u dhe YouTube janë shumë popullore së bashku me Google. Së fundmi Facebook-u duket ta ketë kaluar Google, që ishte faqja më popullore e Internetit për një kohë të gjatë. Profilet në Facebook nga Shqipëria shkojnë afërsisht në një milion me një shtrirje në 75 përqind të popullsisë që përdor internetin. Një PPP tjetër ndërkombëtar shumë popullor është edhe Wikipedia edhe pse më pak popullore se sa dy faqet e përmendura më sipër, por edhe më pak se disa prej faqeve shqiptare të Internetit.
BalkanWeb-i, si pjesë e një grupi mediatik të konsoliduar, renditet e shtata ndër faqet e Internetit më popullore në vend dhe faqja mediatike që vizitohet më shpesh. Sipas Google Ad Planner (Planifikues Reklamash i Google), BalkanWeb-i në janar të vitit 2012 projektohej të kishte 290,000 përdorues unikë. BalkanWeb shërben si një faqe interneti lajmesh i cili ofron edhe format lajmesh në video. Veç kësaj në këtë faqe shihet dhe transmetimi live i kanalit televiziv News 24 i cili është pjesë e të njëjtit grup mediatik. Kjo faqe interneti përditësohet rregullisht dhe përveç lajmeve ofron edhe shërbime të tjera si parashikimi i motit, anketa për publikun, lajme të formatuara për telefona celularë dhe furnizime RSS. BalkanWeb ka edhe një forum tek i cili pretendohet të ketë më shumë se 23,500 anëtarë. Ky forum përmban një numër temash diskutimi duke filluar që nga politika e deri tek humori. Po ashtu si faqja e Top Channel pjesa e vetme e prodhuar nga përdoruesi është forumi dhe komentet mbi lajmet. Faqja ofron edhe mundësi për të ndarë përmbajtjen me të tjerët në mediat sociale.
Top Channel, një nga stacionet televizive kombëtare komerciale zë vendin e tetë si një nga faqet më popullore të internetit. Sipas Google Ad Planner, kjo faqe Interneti llogaritej të kishte një numër prej 320,000 vizitorësh unikë gjatë janarit 2012. Së bashku më BalkanWeb, faqja e Top Channel tërheq më shumë se gjysmën e reklamave në internet. Faqja e Top Channelpërditësohet rregullisht me lajme, në formatin e shkrimeve dhe videos. Ajo ofron edhe ritransmetime të programeve informative dhe argëtuese. Faqja ofron butona për të ndarë përmbajtjen në Facebook apo Twitter. Megjithatë përveç pjesës së forumit, përmbajtja e faqes nuk mund të cilësohet si PPP.
Një faqe tjetër popullore interneti është edhe Ikub.al, me rreth 150,000 përdorues unikë. Kjo faqe është një kombinim me lajme, informacion të llojit “Fletë të Verdha” si dhe njoftime të dobishme gjithfarësh si psh vende pune, shitje-blerje pronash, njoftime biznesesh të ndryshme, etj. Faqja ofron edhe një librari ligjesh, një numërator telefonik familjesh dhe biznesesh dhe informacion mbi aktivitete kulturore. Këto lloj informacionesh dominojnë mbi pjesën e lajmeve, e cila përditësohet disi rregullisht, por që zë një hapësirë më të vogël krahasuar me pjesët e tjera. Kjo faqe ka edhe një forum diskutimesh por nuk poston ndonjë statistikë mbi numrin e përdoruesve të saj.

III. PËRFUNDIM

Mungesa e sondazheve për konsumatorët dhe e të dhënave të tjera që lidhen me konsumin e informacionit në faqet e lajmeve në internet në Shqipëri e bën shumë të vështirë të përcaktosh përdorimin real të rrjeteve sociale dhe blogjeve. Faqet e internetit që përfshijnë informacion dhe rrjete sociale siç janë Google, Facebook, YouTube, Yahoo!, MSN, dhe Wikipedia janë gjerësisht popullore megjithëse nuk ka informacion nëse ato përdoren për ndërveprim personal ose për ndonjë qëllim informues. Nga ana tjetër fakti i thjeshtë se katër nga 10 faqet e internetit i përkasin biznesit të lajmeve dhe të informacionit mund të tregojnë se një nga aktivitetet kryesore të shqiptarëve në web ka të bëjë më kërkimin e lajmeve dhe burimeve të informacionit.
Në të njëjtën kohë, mediat tradicionale kanë filluar të përdorin median sociale, edhe pse ende në një fazë fillestare. Shumica e mediave tradicionale kanë profilet e tyre në Facebook dhe ndajnë aty pjesë nga përmbajtja e tyre në shtyp apo televizion. Disa prej tyre lejojnë publikun të ndajë përmbajtjen e tyre në profilet në Facebook. Kjo krijon mundësi për shpërndarje më të gjerë të lajmeve. Megjithatë nuk ka të dhëna se deri në ç’masë përdoret kjo mundësi që ju ofrohet pasi vetëm një numër i vogël mediash zbulojnë statistika rreth shpërndarjes së lajmeve të tyre në platformat e medias sociale.
Interneti dhe rrjetet sociale janë bërë instrumente të rëndësishme të politikës dhe të diplomacisë. Më shumë se 170 kryetarë shtetesh kanë llogari personale në twitter. Në të njëjtën kohë njerëzit e zakonshëm përzihen gjerësisht në procesin politik përmes rrjeteve sociale, blogjeve dhe mikroblogjeve ku shkëmbejnë informacione, fotografi dhe video. Revolucioni digjital ka arritur politikën – dhe po e transformon atë.

Post Author: admin